Djathi malazez – Pljevaljski sir, në listën e 100 djathërave më të mirë në botë

20 Shkurt, 2023
0 Komente

Faqja prestigjioze e Taste Atlas shpalli listën e djathërave më të mirë në botë. “Pljevaljski sir – Djathi i Pljevljës” u rendit në vendin e 27-të, duke lënë pas shumë nga llojet më të famshme të djathit në botë, përfshirë mocarelën italiane dhe djathin zviceran gruyère.

Vendet e para iu rezervuan tre djathërave italianë: parmixhanos, gorgonzolës dhe burratës, ndërsa djathi i Pljevljës mori vlerësimin 4.6 (nga 5) në këtë faqe prestigjioze.

Pljevaljski sir është pjesë e pandashme e shumë vakteve malazeze. Ky djathë i bardhë prodhohet tradicionalisht nga qumështi i papërpunuar i lopës. Djathi karakterizohet nga shija e tij e theksuar dhe tekstura kremoze. Aromat e tij unike burojnë nga procesi i maturimit, i cili zhvillohet në fuçi druri të projektuara posaçërisht – djathi i prerë në feta kriposet, vendoset në fuçi druri dhe më pas zhytet në shëllirë. Pljevaljski sir duhet të maturohet për 15 ditë përpara se të jetë gati për konsum. Djathi është aq i famshëm, saqë ekziston madje një veprimtari vjetore me emrin “Dani Pljevaljskog Sira – Ditët e djathit të Pljevljës”, ku prodhues të shumtë nga rajoni i Pljevljës prezantojnë djathërat e tyre.

Nëse planifikoni udhëtimin tuaj në Mal të Zi, mos e humbisni mundësinë për të shijuar këtë djathë të jashtëzakonshëm.