Mali i Zi në rrugën drejt një rimëkëmbjeje më të fortë ekonomike në 2021

13 Nëntor, 2021
0 Komente

Rajoni i Ballkanit Perëndimor po rimëkëmbet pas recesionit të shkaktuar nga COVID-19 në 2020, falë rimëkëmbjes më të shpejtë se sa pritej në 2021, thuhet në botimin më të fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Gjelbërimi i rimëkëmbjes.

Perspektiva për rajonin është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa rritja e PBB-së tani parashikohet të arrijë në 5.9 për qind në 2021, pas një tkurrjeje prej 3.1 për qind në 2020. Rritja në rajon parashikohet të jetë 4.1 për qind në 2022 dhe 3.8 për qind në 2023.

E nxitur nga rimëkëmbja e shpejtë e turizmit, ekonomia e Malit të Zi parashikohet të rimëkëmbet fuqishëm, me një normë të vlerësuar prej 10.8 për qind në 2021, norma më e lartë ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sezoni i pikut të verës ka qenë i fortë dhe ka mbështetur rimëkëmbjen e të ardhurave nga turizmi, të cilat ka të ngjarë të arrijnë afërsisht 75 për qind të niveleve të vitit 2019, krahasuar me 55 për qind sa ishte vlerësuar më parë.

Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik ka rritur të ardhurat e qeverisë, të cilat, së bashku me menaxhimin e kujdesshëm fiskal, kanë çuar në uljen e deficitit fiskal nga 11 për qind e PBB-së në 2020 në një vlerësim prej 4 për qind në 2021. Ruajtja e maturisë fiskale në periudhën afatmesme do të jetë thelbësore, pasi pasiguritë mbeten të pranishme.

“Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID-19 vazhdon të jetë burim pasigurie, por paraqet edhe një mundësi që Mali i Zi të sigurojë një rimëkëmbje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të gjelbër pas pandemisë,” thotë Christopher Sheldon, Menaxher i Bankës Botërore për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. “Banka Botërore është e përkushtuar ta ndihmojë Malin e Zi të zbatojë reforma që mund të garantojnë stabilitetin makroekonomik, të krijojnë mundësi ekonomike dhe të nxisin rritje të fuqishme të udhëhequr nga sektori privat”.

Raporti konstaton se papunësia në Malin e Zi mbetet e lartë, pasi rimëkëmbja ende nuk e ka gjallëruar tregun e punës, çka kufizon ritmin me të cilin po rifillon ulja e varfërisë. Varfëria parashikohet të ulet ngadalë në 2021, por mbetet më e lartë se niveli i saj në 2019.

Shkalla e varfërisë në rajon parashikohet të rifillojë prirjen rënëse të periudhës para pandemisë dhe të bjerë me rreth 1 pikë përqindjeje, në 20.3 për qind, duke iu afruar nivelit të vitit 2019.

Rimëkëmbja në të gjithë rajonin i detyrohet forcës si të kërkesës së brendshme, ashtu edhe asaj të jashtme. Një rimëkëmbje e fortë e konsumit të brendshëm dhe e udhëtimeve në të gjithë Evropën ndihmoi në rritjen e remitancave, si edhe të flukseve hyrëse nga turizmi, gjatë sezonit veror të pikut të vitit 2021. Rimëkëmbja e fuqishme në ekonomitë e përparuara i dha gjithashtu shtysë kërkesës për eksportet e rajonit.

Megjithatë, rimëkëmbja mbetet e brishtë. Shenjat e hershme paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të posaçme nga politikëbërësit. Humbjet e vendeve të punës si pasojë e recesionit dhe pasojave të tij kanë prekur në mënyrë disproporcionale gratë dhe të rinjtë, gjë që mund t’i frenojë përpjekjet për rritjen e normave kronikisht të ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në rajon. Papunësia e të rinjve u rrit në 37.7 për qind në 2021, 5.4 pikë përqindjeje më shumë se në qershor 2020, duke përkeqësuar më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.

“Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor shohin drejt një të ardhmeje pas pandemisë, qasja e tyre politike do të duhet të përqendrohet në trajtimin e pengesave kryesore ndaj krijimit të vendeve të punës dhe transformimit ekonomik, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Të gjashtë vendet do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, në qeverisje dhe në digjitalizim, të cilat do të kontribuonin në rritje dhe do të ngushtonin hendekun me vendet e BE-së.”

Raporti shqyrton gjithashtu sfidat makrofiskale dhe faktorët që nxisin gjelbërimin e rritjes së rajonit. Ballkani Perëndimor tani ndodhet në një pikë kyçe vendimmarrjeje lidhur me tranzicionin e gjelbër që po afrohet.

Përparimet globale drejt veprimit klimatik po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri. Preferencat e konsumatorëve dhe investitorëve po ndryshojnë, teknologjitë e gjelbra dhe modelet e reja të biznesit po tronditin gjithnjë e më shumë tregje, ndërsa politikat e gjelbra po riformësojnë peizazhet ekonomike. Si rrjedhojë, gjelbërimi i ekonomisë së një vendi po bëhet faktor vendimtar për konkurrueshmërinë ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financim dhe investime ndërkombëtare.

Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim. Duke u karakterizuar ende nga një model zhvillimi i orientuar drejt industrive tradicionale me intensitet të lartë karboni, kalimi drejt një trajektoreje të rritjes së gjelbër është larg të qenit i lehtë, veçanërisht në afat të shkurtër. Megjithatë, tranzicioni i gjelbër ofron mundësi të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor – përfshirë integrimin më të ngushtë në zinxhirët globalë të vlerës të orientuar drejt Evropës dhe qasjen në burime të konsiderueshme të BE-së për të ndihmuar në financimin e tranzicionit të gjelbër.

Menaxhimi efektiv i këtij tranzicioni të gjelbër, duke përfshirë kompromiset e shumta politike, do të duhet të jetë një nga fokuset kryesore të vëmendjes së politikëbërësve në Ballkanin Perëndimor në vitet e ardhshme.

Burimi: https://www.worldbank.org/en/news/press-release/2021/10/21/montenegro-on-course-for-stronger-economic-recovery-in-2021